Friday, September 27, 2013

Bashkëjetesa, forma që shumë çifte zgjedhin të jetojnë përpara se të martohen, është një nga më të përhapurat së fundmi. Sipas studimeve të bëra, jo të gjitha rezultojnë të suksesshme. Megjithatë ka dhe shumë të tjera, të cilat përbëjnë shembull. Duke filluar me respektimin e dëshirave të partnerit, diskutuar gjakftohtë, ndihmuar në punët e përbashkëta, si dhe ruajtjen e pak dozave pavarësi, bashkëjetesa bëhet e mbarë.

Të dish se çfarë kërkon
Të fillosh një bashkëjetesë është një akt i rëndësishëm i cili kërkon përgjegjësi, por esencialisht të jesh në dijeni të asaj që kërkon vërtet. Të dish se çfarë dëshiron, do dhe nëse je në gjendje t'i realizosh në këtë formë të re jetese. Njerëz të ndryshëm kanë pasur eksperienca të ndryshme në fillimin e bashkëjetesës së tyre. Dhe gjithçka niste me gjërat që përbënin jetën e tyre, dëshirat, përditshmërinë, me pak fjalë aktivitetet që duhet të bënin. Bashkëjetesat më të suksesshme rezultuan ato ku personazhet e tyre ishin personat që nuk hiqnin dorë shpejt nga vetvetja, ajo që përbënte nevojat e tyre. Ann vajza e cila dikur, teksa përjetonte lidhjen e saj, jo duke bashkëjetuar ndihej në siklet për gjërat që duhet të bënte, si ushtrimet e përditshme në mëngjes për të mbajtur trupin në formë. Por ajo vendosi t'i bënte edhe kur jetoi me të dashurin e saj në të njëjtën shtëpi. "I thashë Teddit para se të merrnim shtëpi se çdo ditë ushtrohem rreth një orë për të mbajtur trupin në formë. Për më tepër e paralajmërova që për mua ishte e rëndësishme dhe nuk doja që të m'i vështirësonte gjërat. Kështu ka ndodhur, në fakt, e ka pranuar zgjedhjen time të cilën ja bëra të ditur që në fillim", - është shprehur Ann, historia e së cilës është shembulli i një bashkëjetese të suksesshme në librin "Partners" të autores Kira Chase. Është e rëndësishme të vazhdojmë të ruajmë veten tonë. Në çdo sens. Duke mos cënuar identitetin tonë. Kjo bëhet duke respektuar dëshirat më të vogla që përbëjnë thelbin tonë. Është mënyra më e mirë për të pasur një bashkëjetesë të suksesshme. Dhe kjo bëhet vetëm duke ia treguar partnerit çdo qëllim që kemi. Jo duke i fshehur ato. Bëhuni fleksibël Që marrëdhënia juaj të jetë sa më e shëndetshme ajo që psikologët vazhdimisht sugjerojnë është të jeni sa më fleksibël. Nëse lidhjet tuaja të mëparshme kanë qenë më pak të rëndësishme dhe nëse tashmë keni gjetur dashurinë e vërtetë me të cilën keni vendosur të jetoni në të njëjtën shtëpi duhet të tregoheni më tolerantë. E thënë ndryshe të pranoni edhe momente kur duhet të jeni më fleksibël. Në vazhdim të asaj që u tha më parë, Ann, vajza që vjen me historinë e saj të suksesshme të bashkëjetesës, na tregon një tjetër shembull. "Është e vërtetë që insistova për të plotësuar dëshirat e mia në lidhje me ushtrimet dhe orarin dhe këtë e bisedova me Teddin. Por një prej ditëve kur ai ishte i ftuar në një darkë me miqtë unë duhej ta shoqëroja dhe më duhej të lija po ashtu ushtrimet. Vendosa të bëj kompromis pasi ishte zgjidhja më e mirë, ndoshta jo për të dy por për të mirën e raportit. Ruani pak pavarësi Të qenurit bashkë, edhe kur ndërmerret hapi i madh siç është ai i të bërit e një bashkëjetese, nuk do të thotë që çdo gjë, deri në ekstremet e saj duhet bërë përsëri bashkë. Me pak fjalë, përpiquni të bëni shumë gjëra bashkë, të ndani momente pasioni apo relaksi, por në të njëjtën kohë bëni dhe gjëra vetëm. Mundohuni të ruani pak pavarësi për të treguar që jeta juaj nuk ka ndryshuar një qind për qind. Detajet e vogla që mbushin ditën e gjithsecilit, apo momentet që e shkëpusin njeriun nga lodhja, qoftë dhe për pak, sugjerohet që protagonist të jetë vetëm. Leximi i një libri në darkë, një shëtitje e shkurtër pasdite, një kafe me miqtë, apo të ndjekurit e ndeshjes së futbollit, janë sekuenca të vogla që jo domosdoshmërisht duhen ndarë me partnerin. Jo gjithmonë të paktën. Njeriu ka nevojë të rrijë e të ndajë momente me veten, edhe kur jetesa është e përbashkët. Diskutoni kur jeni gjakftohtë Ka shumë arsye që shumë çifte edhe pse të dashuruar e të bindur për njëri tjetrin kanë frikë të ndërmarrin hapin e bashkëjetesës. Një ndër to është frika e ndarjes së çdo momenti, ndjenje qoftë kjo e bukur apo jo, e sidomos ekspozimi i një personaliteti që jo gjithmonë është konstant. Ann vazhdon të insistojë se përballimi i momenteve më të vështira mes saj dhe Teddit ishin atëherë kur lodhja fizike dhe psikologjike arrinte kulmin. "Unë isha e stresuar për punën time, mbledhjet e vazhdueshme që duhet të bënim, orët e shkurtra të gjumit, pamundësia për të gatuar çdo ditë. Ishin ditët e mia më të këqija dhe nervat do të bënin punën e tyre. Pikërisht në këto momente dukej se gjithçka që kishim ndërtuar do të shkatërrohej për një çast, sepse zënkat ishin të pafundme. Por kuptova se nëse isha e nervozuar dhe ai do më bënte të ndihesha më tepër duhej t'ia sqaroja se çfarë ai nuk duhet të bënte apo çfarë nuk duhej të shprehej, të paktën në ato çaste", shprehet ajo. Me pak fjalë, duhet të tregoheni të qartë dhe këmbëngulës në atë që kërkoni vërtet të shprehni. Nëse ju bezdis toni i partnerit tuaj, atëherë kur jeni të lodhur e pa dëshirë për të vazhduar me debate, është më mirë ta bëni të qartë. Mund ta vazhdoni diskutimin tuaj kur të ndiheni më të qetë. Diskutimet e rëndësishme duhen bërë në tone të ulëta, e për më tepër kur jeni më gjakftohtë. Vetëm atëherë do të jepni dhe merrni përgjigjet e duhura. Krijoni situata për të qeshur Ajo që duhet bërë vazhdimisht gjatë bashkëjetesës me njëri tjetrin është dhënia e dashurisë së pafund. Këtë duhet ta bëni sidomos duke qeshur. Qeshni sa më shumë, është një nga sugjerimet e tjera që bëjnë ekspertët e studimit të bashkëjetesës. Mund ta bëni në mënyrën më natyrale. Duke parë një komedi së bashku, duke lexuar librin e preferuar të barsoletave apo duke imituar njëri tjetrin për veset që keni. Ngacmojeni njëri tjetrin duke i vënë në pah të metat, por duke i ilustruar me shaka. Kështu mund të prodhoni situata të pafundme të qeshuri. Ndihmojeni njëri-tjetrin Të ndihmoni njëri tjetrin është një detaj tjetër që nuk duhet të harroni. Punët e shtëpisë janë një ngarkesë që nuk duhen mbajtur vetëm nga njëri prej partnerëve. Edhe këtu duhet të ketë pjesëmarrje të përbashkët. Sigurisht ato që janë më të lidhura më tepër me pastrimin, apo rregullimin e shtëpisë janë vajzat. Por nëse ndiheni të lodhura duhet t'i bëni të qarta kërkesat e tyre për ndihmë. Që partneri juaj të kuptojë se ndarja e tyre duhet bërë mes njëri tjetrit është e rëndësishme ta diskutoni. Kujdesuni për shëndetin
Kujdesi për shëndetin tuaj fizik e sidomos për atë mendor është një nga gjërat e tjera po aq të rëndësishme që duhet të bëni. Për të transmetuar ndjenja të mira dhe pozitivitet duhet të ndiheni të relaksuar dhe me energji. Lodhjen mund ta shmangni duke bërë pak ushtrime, duke marrë vitaminat e duhura si dhe duke bërë gjumin e nevojshëm. Gjumi madje është një elementet që duhet të respektoni rregullisht. Është mënyra më e sigurt për t'u ndjerë të çlodhur e të qetë mendërisht. Një bashkëjetesë e suksesshme kërkon impenjimin tuaj maksimal, e kjo pa diskutim fillon dhe me kujdesin e treguar ndaj vetes.

No comments:

Post a Comment